Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Haxhiu ka deklaruar se me këtë vendim “flet rendi kushtetues i Kosovës”, të cilin, sipas saj, rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund.
Me aktgjykimin e shpallur, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim.
Ajo theksoi se vendimi është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit nuk do të mbetet pa ndëshkim.
Megjithatë, Haxhiu ka shtuar se drejtësia për sulmin në Banjskë nuk përfundon me këtë aktgjykim, por vetëm kur të gjithë përgjegjësit, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë.
Në fund, ajo ka përkujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, duke thënë: “Lavdi Afrim Bunjakut, heroit tonë.”

