Wednesday, April 29, 2026
HomeLajmeKosovëLushaku: 15 nënshkrime për kandidatin e LDK-së, jo për kandidat të dytë

Lushaku: 15 nënshkrime për kandidatin e LDK-së, jo për kandidat të dytë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se LDK i ka 15 nënshkrime për kandidatin e vet që mund të jetë unik në një listë dhe se ftesa e bërë nga VV, sipas saj, nënkupton krijimin e një kandidature të dytë me qëllim që t’i hapet rrugë kandidatit të Vetëvendosjes për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Në një konferencë për media, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet në rrethana të tensionuara politike dhe me, siç u shpreh ajo, tendenca që cenojnë institucionet demokratike.

“Kur i ke 66 vota të mundësohet edhe një arrogancë që tenton ta shembësh edhe demokracinë dhe shtetin që është ndërtuar për shumë vite me radhë,” ka thënë ajo.

Sipas saj, mënyra se si po zhvillohet procesi tregon për përballje politike ku, siç u shpreh, po “luhet me fjalë” dhe po krijohet përshtypja e një procesi të orientuar drejt krizave institucionale.

“Prandaj sonte po e shohim më lehtë duke bërë, duke luajtur me fjalë se çka ofron ai e çka ofrojnë partitë e tjera,” ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka shtuar se, sipas saj, po synohet krijimi i situatave që mund të dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe të hapin rrugë për zgjedhje të reja.

“Po ndërton raste për t’i çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të fituar hapësirë ekstra dhe për të ardhur në zgjedhje të reja në kohën për të cilën ai po synon,” ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka theksuar se LDK ka dhënë mbështetje unanime me 15 nënshkrime për kandidatin e saj, duke përsëritur qëndrimin se presidenti duhet të zgjidhet me marrëveshje politike ose konsensus.

“Prej fillimit e kemi bërë të qartë se presidenti zgjidhet me marrëveshje politike ose me konsensus. Të dyja i kemi dhënë si mundësi, duke përjashtuar vetëm mundësinë që e imponon dikush,” ka deklaruar ajo.

Ajo ka kritikuar edhe qëndrimet e mëhershme politike, duke thënë se janë dhënë deklarata të kundërta me praktikën aktuale.

“Ky është i njëjti kryeministër që ka thënë se nuk qet kandidat partiak dhe i ka qit dy kandidatë partiakë, ka thënë nuk qet njerëz me më pak vota se që kemi ne dhe sot ka kandidatë me zero vota,” ka thënë ajo.

Lidhur me qëndrimin e LDK-së, ajo ka theksuar se 15 nënshkrimet shkojnë për kandidatin e partisë dhe jo si kandidat i dytë.

“Kemi 15 nënshkrime për kandidatin që LDK merr vendim, kryetari Abdixhiku ka thënë se mund të jetë Vjosa Osmani dhe ne nuk kemi asnjë dyshim,” ka deklaruar ajo.

Sipas saj, ftesa e bërë nënkupton, siç tha ajo, krijimin e një kandidature të dytë për t’i hapur rrugë kandidatit të Vetëvendosjes.

“Ajo që kemi dilemë është që ftesa ishte të bëjmë një kandidate të dytë dhe me ia mundësu kandidates së Vetëvendosjes me u zgjedh presidente e Kosovës,” ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu ka shtuar se situata aktuale është e pazakontë dhe e rëndësishme politikisht.

“Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidaten që mund të jetë unike në një listë. Kjo është një natë tepër e rëndësishme, është fatkeqësi që ai që i ka 66 vota dhe pyetja është a i jep ai 66 vota për kandidaten e LDK-së,” ka deklaruar ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram