Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që në një konferencë për media doli bashkë me tre deputetë të tjerë të partisë, ka thënë se gjithë situata aktuale e ka emrin, sipas tij, manipulim i opinionit publik.
“Ne nuk duam të jemi pjesë e krejt këtij komploti që po i bëhet shtetit në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Po te kishte dashur Albin Kurti ta zgjedhë presidentin, ai ia kish japë mundësinë për diskutim kandidatëve të opozitës, sepse nuk i ka numrat. Ai po flet për numra, por ai nuk i ka 80 vota, dhe duke mos i pasur 80 vota, emrat duhet të vijnë prej opozitës, emrat duhet të diskutohen dhe emrat e kandidatëve dhe kandidateve nuk duhet të merren vesh prej medieve, por prej një diskutimi të sinqertë”, tha Tahiri.
Kreu u deputetëve të AAK-së në opozitë, tha se Kurti është dashur të gjente formën e komunikimit me LDK-në.
“Fliste poshtë për nënshkrime, shikoni ku e ka zyrën LDK-ja, si flet një kryeministër, dikush që do t’ia japë një zgjidhje e nuk ngjitet më lart me gjetur formën e komunikimit politik. Kjo nuk është asgjë tjetër, por vetëm për të bartur fajin herë në një anë e herë në anën tjetër. AAK nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim, por në asnjë moment e asnjë situatë nuk ka ikë nga përgjegjësia”, tha ai.
Ndërsa deputeti, Bekë Berisha tha se qysh në fillim kishin ofruar një kandidat, por nuk kishin pasur mbështetje as nga pushteti as nga opozita.
“Neve po na mohohet edhe ekzistenca, sikur të mos ishim ne. Jemi deputet të zgjedhur”, deklaroi ai, derisa tha se problem është edhe mungesa e një gjuhe bashkëpunimi mes partive opozitare.
“Në këtë situatë është dashur të kemi komunikim më të theksuar, duhet ta dimë kënd e kemi përballë”, tha ai.

