undërshtar i sanksioneve kundër Rusisë”, “prokremlin”, “euroskeptik”, “me qëndrim të favorshëm ndaj Moskës” – kështu e përcaktojnë analistët perëndimorë Rumen Radev, por larg së i dhëni atij rolin e “Orbanit të dytë” në Bashkimin Evropian, duke theksuar të dukshmen: Rumen Radev nuk e vë në pikëpyetje vendin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.Por gjithashtu vendosin një theks të rëndësishëm: gjatë mandatit të tij si president, Rumen Radev u përmbajt të dënonte luftën që Rusia zhvillon në Ukraina, kritikoi sanksionet e BE-së dhe kundërshtoi anëtarësimin e Bullgarisë në eurozonë pa pasur një referendum popullor.
“Nuk ka vend për iluzione dhe veprime kaotike në këtë botë, e cila është gjithnjë e më shqetësuese, e paparashikueshme dhe e rrezikshme”, thekson vetë Radev në fushatën e tij zgjedhore dhe si lider politik deklaroi për politikën e jashtme se vendi ynë duhet të punojë për forcimin e aftësive tona mbrojtëse dhe aleancave në të cilat jemi anëtarë:
FOTO: Koalicioni “Bullgaria Progresive”
“Por kjo tashmë nuk bëhet vetëm me besnikëri, kërkohet edhe kompetencë dhe vullnet për të mbrojtur interesin tonë kombëtar në këto aleanca, sepse nëse duam që këto aleanca të jenë të forta, duhet që edhe shtetet që i formojnë ato të jenë të forta” – thekson ish-kreu i shtetit dhe lider aktual i “Bullgaria Progresive”, e cila do të ketë shumicë në Parlamentin e 52-të.
Rumen Radev shmang një përplasje të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Pas fitores së tij në zgjedhjet parlamentare të 19 prillit, ai këmbënguli para mediave të huaja për mendim kritik dhe pragmatizëm në Evropë:
“Bullgaria do të bëjë përpjekje të vazhdojë në rrugën e saj evropiane. Një Bullgari e fortë në një Evropë të fortë ka nevojë për mendim kritik, ka nevojë për pragmatizëm, sepse Evropa u bë viktimë e ambicies së saj për të qenë një lider moral në një botë pa rregulla. Evropa ka nevojë sërish për mendim kritik, veprime pragmatike dhe rezultate të mira, veçanërisht në ndërtimin e një sistemi të ri sigurie.”
Radev e inkurajon Ukrainën të kërkojë paqe, nuk mbështet dërgimin e armëve në Kiev dhe thotë se, këmbëngulja e tij, se Krimea është “ruse” thjesht pasqyron një realitet strategjik. Për partnerët euroatlantikë, një moment skandaloz u bë fotografia e Radevit me presidentin rus Vlladimir Putin në fund të fushatës. Ndërsa në një takim parazgjedhor në Dupnica në fillim të prillit, ai sërish e përforcoi kundërshtimin e tij ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën:
FOTO: BTA
“Qëllimi ynë kryesor është të ruhet paqja. Bullgaria të mos përfshihet në asnjë mënyrë në konfliktet e armatosura rreth nesh. Nuk i ndezëm ne këto luftëra që të paguajmë ne. Asnjë cent nga ne nuk duhet të shkojë për ushqimin e luftërave, përkundrazi, paratë tona duhet të mbeten për pensionistët tanë, për fëmijët tanë – ky është qëllimi ynë.”
Analistët nuk presin që Rumen Radev të rishikojë pranimin e euros, të bllokojë vendime të BE-së apo të vërë në pikëpyetje rrjedhat e fondeve evropiane për Bullgarinë.
- Ndërsa votuesit bullgarë mendojnë se situata parazgjedhore lind retorikë ekstreme dhe pa kompromis dhe ofron mesazhe që pranohen emocionalisht nga njerëzit. Pas zgjedhjeve vjen koha e politikës reale dhe zgjidhjes së problemeve serioze. Sipas të anketuarve nga kryeqyteti, pritshmëritë nga Radev janë të mëdha, por në terrenin ndërkombëtar ai do të jetë i prirur për kompromise dhe nuk do të sabotojë politikat e BE-së.
Kaja Kallas
FOTO: BE, arkiv
Në një sondazh përfaqësues të “Alfa Research” gjatë fushatës, në pyetjen: “Nëse duhet të zgjidhni një partner strategjik, kë do t’u rekomandonit politikanëve”, më shumë se gjysma e bullgarëve (56,3%) përgjigjen kategorikisht se ky është Bashkimi Evropian, ndërsa për 19,5% – Rusia.
Institucionet evropiane e përshëndetën në mënyrë formale fitoren e Rumen Radev dhe shprehën gatishmëri për punë të frytshme në të ardhmen me aktorin e ri politik bullgar në Evropë. Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë Kaja Kallas u përmbajt nga vlerësimet paraprake për pritshmëritë apo shqetësimet për ndryshime në politikën e jashtme të Bullgarisë ndaj Ukrainës pas fitores së “Bullgaria progresive”: “Para se të ketë një qeveri të re, ne nuk kemi parë si vepron ajo. Nuk do të nxitojmë përpara ngjarjeve. Është e rëndësishme që secili të vijë në këtë tryezë me dëshirë të sinqertë dhe të interesuar për bashkëpunim, si dhe me kompromise, sepse ato kërkohen nga të gjithë. Në fillim të gjithë trajtohen njësoj, mirëpresim kolegët e rinj në tryezë me të cilët të kuptohemi dhe të bashkëpunojmë.”
Profili i politikës së jashtme të qeverisë së ardhshme të Rumen Radev do të ndjekë profilin e të gjithë atyre votuesve që kanë votuar për “Bullgaria Progresive” – vëren në një intervistë për rubrikën “Evranet +” të BNR-së Maria Simeonova – drejtoreshë e zyrës së Sofjes të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Sipas saj, Radev ka arritur të mbledhë votues nga të gjitha partitë e tjera – njerëz me qëndrime mesatarisht proruse, proevropianë të moderuar, skeptikë ndaj eurozonës:
FOTO: BNR – Ludmilla Zhelezova/Pixabay
“Ky profil i votuesit të Rumen Radev do ta kufizojë atë në marrjen e vendimeve radikale ose në ofrimin e politikave radikale. Bullgaria nën Rumen Radev do të ruajë drejtimin kryesor të kursit të saj të politikës së jashtme – proevropian, pro-NATO, por me më shumë kritikë ndaj vendimeve që do të merren në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, por kjo sipas meje do të përkthehet më shumë për audiencën vendase sesa për liderët evropianë” – parashikon Simeonova.
Këtu çështja kryesore në planin e politikës së jashtme është politika ndaj Ukrainës dhe deklarata për rivendosjen e lidhjeve të Bullgarisë me Rusinë – deri në çfarë mase kjo mund të përplaset me interesat e Bashkimit Evropian?
“Mendoj se një variant ku Bullgaria shndërrohet në shtetin që bllokon vendime brenda Bashkimit Evropian është i ekzagjeruar. Nëse Rumen Radev merr qëndrime më ekstreme, kërcënon me veto ose guxon të përdorë veto brenda Bashkimit Evropian, ai do të gjendet në një situatë mjaft të pakëndshme. Ai vetë është një politikan pragmatik që vlerëson rrezikun e një pozicionimi të tillë të Bullgarisë në Bashkimin Evropian. Bullgaria ende mbështetet shumë në financimin nga Bashkimi Evropian dhe duke pasur parasysh rritjen e çmimeve tek ne, edhe simbolikisht, përthithja e këtyre fondeve është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë, por edhe për politikën e Radev, që të thotë: ‘Ja, parlamenti kaloi reformat e nevojshme që këto para të lirohen, të përthithen nga biznesi bullgar dhe të investohen përkatësisht.’
Cilat janë pozicionet e rëndësishme në politikën e jashtme që pushteti i ri ekzekutiv duhet t’i vendosë përpara Evropës dhe botës?
“Do të filloja nga një çështje e brendshme politike, por që lidhet drejtpërdrejt me pozicionimin e Bullgarisë në Evropë – shëndoshja e institucioneve tona. Kjo lidhet me sundimin e ligjit, me luftën kundër korrupsionit. Nuk mund të avancojmë apo të kërkojmë peshë në politikën e jashtme nëse partnerët dhe aleatët tanë nuk janë të sigurt se institucionet tona janë të forta dhe nuk mund të depërtohen nga ndikimi i jashtëm, nga sulmet hibride. Të tilla ka dhe ato do të shtohen. Më tej, Bullgaria, si një shtet anëtar i mesëm në Bashkimin Evropian, ka interes që Bashkimi Evropian të jetë i bashkuar. Ne jemi të vendosur në një vend ku përjetojmë kërcënime dhe ndikime të ndryshme, por kjo na vendos në një situatë ku mund t’u themi aleatëve tanë evropianë që ndodhen më në perëndim, të propozojmë politika. Është në interes të Bullgarisë, sipas meje – të jemi më aktivë, veçanërisht në rajonin e Detit të Zi. Bashkimi Evropian është një aktor relativisht i ri në këtë rajon dhe pret nga Bullgaria dhe Rumania të propozojnë iniciativa. Këtu mund të jemi më aktivë edhe në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Fatkeqësisht, mosmarrëveshja jonë me Republikën e Maqedonisë së Veriut e ndryshoi këtë imazh që kishim ndërtuar, por mendoj se Bullgaria duhet përsëri të profesionalizojë ministrinë e saj të jashtme, të zhvillojë kapacitete drejt këtyre dy rajoneve shumë të rëndësishme për ne – njëri në perëndim, tjetri në lindje. Nga të dy kemi interes të jenë të qëndrueshëm dhe të qetë, që kërcënimet të mos na ndikojnë.”

