Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, sipas tyre veçanërisht në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të rëndësishme të transformimit energjetik.
OEK në reagimin e dërguar për media kanë thënë se marrëveshja ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhje me terminalin LNG në Krk, si dhe marrëveshja e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dëshmojnë qartë se Ballkani Perëndimor po ripozicionohet në hartën energjetike të Evropës.
“Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike,” ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
OEK thekson se përfshirja e Kosovës në këto projekte duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese.
“Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve vendore që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit”, thuhet në reagim.

