Në takimin e Këshillit të Sigurimit mbi sigurinë detare të organizuar nga Bahreini, Greqia iu përgjigj deklaratës së përfaqësuesit të përhershëm turk Ahmet Yildiz , i cili foli për “ngushticat turke”.
“Turqia po bën çdo përpjekje për të siguruar kalimin e sigurt dhe të lirë të anijeve nëpër këto korridore detare.
“Regjimi i tranzitit përmes Ngushticave Turke rregullohet nga Konventa e Montreux, e cila ka vendosur një ekuilibër politik dhe ushtarak në Detin e Zi midis vendeve bregdetare dhe jo-bregdetare që nga viti 1936″, tha përfaqësuesi i përhershëm turk.
Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i Greqisë, Ioannis Stamatekos, deklaroi se “Konventa e Montreux e vitit 1936 është i vetmi tekst ligjor ndërkombëtar që rregullon lundrimin në Ngushticën e Dardaneleve, Detin e Marmarasë dhe Bosforin, dhe garanton lirinë e lundrimit në to”.
Z. Stamatekos vazhdoi duke thënë se “prandaj, respekti për terminologjinë e Konventës së Montreux synon të ruajë dhe të afirmojë këtë liri që garantohet në të”.
“Përdorimi i termit ‘ ngushtica turke’ nuk është në përputhje me Konventën e Montreux të vitit 1936, në lidhje me statusin e Ngushticave. Terminologjia sipas Konventës së Montreux është ‘ngushticat’, dhe konkretisht ‘ngushticat e Dardaneleve, Detit të Marmarasë dhe Bosforit’”, tha z. Stamatekos.

