Njësiti i trafikut rajonal në Prishtinë ka nisur zbatimin e planit operativ “Motoçikletat”, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe disiplinës së shoferëve.
Ky plan po realizohet nga njësiti i trafikut me motoçikleta dhe synon kontrollin sistematik të rrugëve magjistrale, nacionale dhe atyre brenda qyteteve të rajonit.
“Faza e parë e këtij plani është përmbyllur në zonën e Fushë Kosovës, ku gjatë një periudhe 10-ditore janë shqiptuar mbi 250 gjoba për kundërvajtje të ndryshme. Po ashtu, nga qarkullimi janë larguar 24 motoçikleta dhe skuterë, të cilët janë përdorur në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, rezultatet e arritura tregojnë për një disiplinim më të madh të shoferëve dhe përmirësim të dukshëm të gjendjes në trafik.
Njësiti i motoçikletave pritet të vazhdojë kontrollet edhe në komunat e tjera të rajonit, me fokus të veçantë tek drejtuesit e motoçikletave.
Policia u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, ndërsa motoçiklistët të përdorin helmetën mbrojtëse, të posedojnë patentë shoferin e kategorisë përkatëse, të kenë mjetet e regjistruara dhe të ngasin në mënyrë të sigurt.

