Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar me inicialet B.K., në kuadër të rastit “Laboratori ’25”.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i dyshuari ngarkohet me dyshimin për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Rasti lidhet me operacionin policor të realizuar më 21 janar 2025, kur ishte arrestuar një person nën dyshimet për përfshirje në veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe krimit të organizuar.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale bëjnë të ditur se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale pritet t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

