Thursday, April 30, 2026
HomeLajmeKosovëPartitë pajtohen, Haxhiu: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor

Partitë pajtohen, Haxhiu: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor

 Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar se pas konsultimeve me partitë politike ka vendosur që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori.

“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së, dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendit e Republikës së Kosovës të mbahen me 7 qershor”, deklaroi Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentes  tha se kjo nuk është çfarë ajo qytetarët kanë dashur, sepse, sipas saj, qytetarët kanë pritur bashkim kur bëhet fjalë për interesat e vendit e institucione stabile.

“Po vonohemi në shumë reforma pa asnjë nevojë. Shumë punë kemi para vetës dhe nuk e kemi komoditetin që të humbim kohë. Për muaj me radhë janë bërë përpjekje që vendi të ketë institucione funksionale e proceset kushtetuese të përmbyllen brenda Kuvendit. Megjithatë, në demokraci kur rruga institucionale bllokohet, fjala i kthehet qytetarëve. Tani përgjegjësia është e të gjithëve, e institucioneve që të organizojnë një proces të rregullt e transparent, por edhe të besueshëm, e subjekteve politike që të garojnë me përgjegjësi e respekt për qytetarët, edhe qytetarëve që me votën e tyre të lirë të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Kosova ka ditur të organizojë procese zgjedhore të lira, demokratike dhe të besueshme.

Partitë pajtohen: Zgjedhjet mbahen më 7 qershor

Ka përfunduar takimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu me partitë politike. Përveç PDK e AAK, edhe LDK është pajtuar për 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.

 Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se për partinë që drejton cilado nga datat brenda afateve kushtetuese është e pranueshme qoftë 31 maj apo 7 qershor.

“Ne jemi të përgatitur, të gatshëm të shkojmë në zgjedhje brenda listës së PDK-së do të ketë risi, emra dhe figura të tjera”, deklaroi Hamza.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK-ja tha se si parti kanë dhënë opinionin e tyre, prandaj tha se janë dakord për datën 7 qershor meqë si datë e ka kërkuar edhe KQZ-ja.

“Synojmë t’i japim Kosovës një vizion tjetër, bashkim të së djathtës e cila do të ketë program zhvillimor, për një Kosovë që i forcon aleancat ndërkombëtare, që prezanton projekte zhvillimore hapë vende pune e jo ta lërë vendin në sanksione e skema sociale. Besoj shumë që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë risi”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

Ndërkaq, Ardian Gjini nga AAK-ja tha se zgjedhjet janë shancë për vendin.

“Ne po bëhemi gati t’i japim Kosovës atë që duhet, stabilitet e rrugë të zhvillimit e populli i Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë”.

Gjini tha se është i propozuari i AAK-së për kryeministër. “Vendimet në AAK i merr Këshilli Drejtues, jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe bartës së listës, por duhet pritur vendimit e Këshillit Drejtues të AAK-së i cili pritet të ndodhë shpejt”, tha ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram