Tre automjete janë përfshirë në një aksident trafiku në fshatin Gllarevë, si pasojë e të cilit tetë persona kanë pësuar lëndime trupore.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi. Sipas tij, të gjithë të lënduarit janë transportuar në Spitalin Rajonal, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ai bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:30 dhe në të kanë qenë të përfshira tri vetura.
“Bazuar në vlerësimin e mjekut kujdestar, personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën”, tha Gashi.

