Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot ka filluar afati për subjektet politike për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Këto dy faza të rëndësishme të procesit zgjedhor përfundojnë në data të ndryshme, ndërsa për dorëzimin e listave të kandidatëve, subjektet politike do të kenë në dispozicion një periudhë më të gjatë kohore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTKLive se aplikimi për certifkim do të zgjasë deri më 10 maj dhe se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa kjo s’do të vlejë për partitë politike që ligji i konsideron të regjistruara automatikisht.
Aplikimi për certifikim të subjekteve të reja politike politike, 2 maj – 10 maj 2026.
“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”.
Dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë, 2 maj – 12 maj 2026:
“KQZ ka vendosur afatin 11-ditore, nga 2 maj deri më 12 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandiatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

