Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me homologun kroat, Andrej Plenkoviq, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), që është duke u mbajtur në Jerevan të Armenisë..
Në komunikatën për media nga Kryeministria, theksohet se në këtë takim, u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, të ndërtuara mbi partneritet të qëndrueshëm, miqësi të sinqertë dhe bashkëpunim të gjithanshëm.
Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e integrimit euro-atlantik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale në kontinentin evropian dhe përtej tij, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta demokratike. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për forcimin e aleancave dhe koordinimit politik në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë”, thuhet në komunikatë.

