Presidenti rus Vladimir Putin shpalli të hënën një armëpushim dy-ditor me Ukrainën më 8 dhe 9 maj për të shënuar përvjetorin e disfatës së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.Ministria po pret që pala ukrainase të ndjekë shembullin dhe paralajmëron se Rusia do të nisë një sulm masiv me raketa ndaj Kievit nëse Ukraina përpiqet të prishë festimet e Ditës së Fitores.
“Pavarësisht kapaciteteve që kemi në dispozicion, Rusia më parë është përmbajtur nga veprime të tilla për arsye humanitare”, thuhet në deklaratë.
Ministria shtoi se po paralajmëron “popullsinë civile të Kievit dhe personelin e misioneve të huaja diplomatike që të largohen nga qyteti në kohën e duhur”.Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi në fund të prillit se parada e Ditës së Fitores së këtij viti më 9 maj do të mbahej pa tanke dhe raketa për shkak të shqetësimeve rreth sulmeve të mundshme me dronë ukrainasë.
Kryebashkiaku i Moskës njoftoi më herët të hënën se një dron ukrainas kishte goditur një pallat apartamentesh pranë qendrës së Moskës, disa ditë para një parade ushtarake që shënonte Ditën e Fitores.
Edhe pse Rusia raporton shpesh sulme me dronë ukrainasë në zonën e madhe të Moskës, ato zakonisht synojnë aeroportet, instalimet ushtarake dhe periferitë. Infrastruktura civile në kryeqytet rrallë është dëmtuar dhe shumica e dronëve janë kapur, sipas deklaratave zyrtare.

