Dronët ukrainas kanë nisur tre valë sulmesh në qytetin rus të Çeboksarit, kryeqytetin e republikës ruse të Çuvashisë. Dy valët e para të sulmeve ndodhën në mes të natës, duke synuar një rafineri aty pranë, dhe sulmi i tretë ndodhi në orën 10 të mëngjesit. Një nga dronët u rrëzua në një ndërtesë apartamentesh në rrugën Stroiteley, ku një zjarr shpërtheu në katin e gjashtë, duke dëmtuar të paktën tetë apartamente. Një person u vra dhe 12 u plagosën. Banorët janë evakuuar dhe shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje,theksojne mediat ruse.
Sulme ndaj ndërtesave të banimit u regjistruan edhe në dy rrugë të tjera në qytet. Një nga ndërtesat e goditura ndodhej vetëm 350 metra larg fabrikës së mbrojtjes VNIIR-Progress, e cila prodhon antena për dronë. Sipas mediave ruse, kjo fabrikë ishte objektivi i vërtetë i sulmit. Ndërtesa e Fakultetit të Elektromekanikës, e vendosur përballë fabrikës, u dëmtua gjithashtu.
Shkollat dhe kolegjet kanë kaluar në mësim në distancë, prindërve u është këshilluar të mos i çojnë fëmijët e tyre në çerdhe, qendrat tregtare janë mbyllur. Transporti publik është ndaluar për një kohë të pacaktuar dhe banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi.
Kryetari i bashkisë
Stanislav Trofimov njoftoi krijimin e një qendre krize dhe ambienteve të përkohshme të akomodimit në dy shkolla të qytetit. “Stafi administrativ, psikologët dhe stafi mjekësor janë në detyrë në vendngjarje. Kërkoj mirëkuptimin tuaj në punën e shërbimeve të emergjencës”, tha Trofimov.Kryeministri i Republikës Çuvash, Sergei Artamonov, tha se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në republikë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, kjo ishte pjesë e një sulmi masiv gjatë natës. Midis orës 8 të mbrëmjes më 4 maj dhe orës 7 të mëngjesit më 5 maj, një total prej 289 dronësh ukrainas u rrëzuan mbi territorin rus. Dronët fluturuan mbi 20 rajone, nga Bryansk dhe Belgorod në perëndim deri në Tatarstan në lindje, si dhe mbi Detin e Azov.

