Kanë nisur punimet për rehabilitimin e rrugës rajonale R119, në segmentin Kijevë–Malishevë, një projekt me vlerë 2.3 milionë euro që përfshin mbi 11 kilometra rrugë.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi ndërhyrjen si të domosdoshme për zonën e Llapushës.
“Janë bërë shumë përpjekje për të na ndalur… por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës”, tha Kurti.
Sipas tij, rruga lidh Malishevën me pesë fshatra dhe projekti parasheh rindërtim të plotë, përfshirë bazën e rrugës, asfaltimin dhe elementet tjera infrastrukturore. Ai shtoi se punimet në këtë fazë përfshijnë rreth 8.5 kilometra, ndërsa pjesa tjetër do të procedohet më vonë.
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se bëhet fjalë për rehabilitim të plotë të rrugës.
“Kjo rrugë me dekada është menaxhuar përmes mirëmbajtjes… tani po rehabilitohet e tërë rruga, pra mbi 11 kilometra”, u shpreh Basha.
Punimet pritet të përfundojnë brenda 225 ditëve pune dhe projekti synon rritjen e sigurisë në trafik, uljen e kostove të transportit dhe përmirësimin e infrastrukturës për banorët e zonës.

