Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar për veprën penale “shpëlarja e parave”, pas zbulimit të rreth 1 milion eurove të padeklaruara në pikën kufitare në Merdare.
Sipas njoftimit, të dyshuarit A.L., A.K. dhe E.A. janë ndaluar në pikëkalimin kufitar në Merdare, pas një kontrolli të përbashkët të realizuar nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Gjatë kontrollit në një automjet që drejtohej nga njëri prej të dyshuarve, është gjetur dhe sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash, e cila sipas vlerësimeve fillestare dyshohet se arrin rreth një milion euro.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

