Këshilli Prokurorial i Kosovës po shkon drejt përmbushjes së reformës, pasi me anëtarin e shtatë joprokuror pritet të kompletohet përbërja e KPK-së. Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Procesit të Përzgjedhjes së Anëtarëve Joprokurorë të KPK-së është mbledhur sot për konkursin për anëtarin joprokuror që do të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.
Ministria e Drejtësisë e kishte nisur këtë reformë me ndryshimet ligjore që tashmë janë në fuqi. Genc Nimoni, zëvendësministër i Drejtësisë, ditë më parë ka deklaruar se konflikti i interesit dhe grupet e brendshme kanë pamundësuar funksionalitetin e plotë të sistemit, duke shtuar se reforma pritet të përmbyllet me anëtarin joprokuror.
“Shohim një rezistencë të hatashme të tyre, pastaj shohim tendencë të tyre për ta kapur vetë Këshillin Prokurorial apo pozita të caktuara brenda KPK, dhe ne pikërisht kemi synuar përmes kësaj reforme t’i eliminojmë këto grupe interesi, këtë formë të korporatizmit që ekziston brenda Këshillit Prokurorial, dhe natyrisht të sjellim llogaridhënie, të ngritim kriteret profesionale dhe, në fund, rezultatet e vetë sistemit”, ka thënë Nimoni.
Këshilli Prokurorial duhet ta certifikojë edhe rezultatin e 1 nëntorit të vitit të kaluar për përzgjedhjen e një anëtari në KPK-së, në mënyrë që të jetësohet vullneti i prokurorëve, tha Gazim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, teksa shton se me zgjedhjen e anëtarit joprokuror nga Kuvendi, reforma konsiderohet e kompletuar.
“Zgjidhet edhe një anëtar nga ana e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që Këshilli Prokurorial të kompletohet sipas përbërjes së re, sipas reformës, në përputhje me reformën dhe me ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për KPK-në, që përbën reformën në Këshillin Prokurorial. Është shumë e rëndësishme që edhe në fazat e ardhshme Kuvendi t’i zgjedhë anëtarët me kohë, në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos krijohet vakum apo që KPK të funksionojë me përbërje jo të plotë, siç ka ndodhur në disa raste në përbërjen e kaluar”, tha Gzim Shala nga IKD.
Përbërja e re e KPK-së prite të reflektojë ndryshim, duke larguar kulturën e korporatizmit që ka ndikuar në disa procese, përfshirë edhe zgjedhjen e kryeprokurorit.

