atsh
Dy ish-ministra kinezë të mbrojtjes u dënuan sot me vdekje, me një pezullim dy-vjeçar nën akuzat për korrupsion dhe ryshfet.
Wei Fenghe dhe Li Shangfu u dënuan veçmas nga një gjykatë ushtarake kineze, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Wei u dënua për pranim ryshfeti ndërsa Li u dënua për pranim dhe ofrim ryshfeti. Të dy ish-zyrtarët e lartë kanë shërbyer më parë si anëtarë të Komisionit Qendror Ushtarak dhe ish-këshilltarë shtetërorë.
Përveç dënimit me vdekje atyre u janë hequr të drejtat politike për jetë ndërsa të gjitha pasuritë personale do të konfiskohen.
Sipas legjislacionit kinez, dënimet me vdekje me pezullim dyvjeçar zakonisht shndërrohen në burgim të përjetshëm pas përfundimit të kësaj periudhe, nëse i dënuari nuk kryen krime të tjera.
Megjithatë, vendimi i gjykatës specifikon se asnjëri prej tyre nuk do të ketë të drejtë për lirim me kusht apo ulje të mëtejshme të dënimit pasi ai të shndërrohet në burgim të përjetshëm.

