Në zemër të Parkut Kombëtar të lumit Vjosa do të zhvillohet edicioni i radhës i VjosArt 2026, një aktivitet që synon të promovojë turizmin e qëndrueshëm, kulturën dhe mbrojtjen e natyrës përmes artit dhe muzikës.
Festivali do të mbledhë artistë shqiptarë dhe të huaj, performues, aktivistë të mjedisit dhe turistë në zonën e lumit Vjosa në Përmet, në qytetin antik të Bylisit, Fierit e Vlorës.
Kryeministri Edi Rama, u shpreh se “VjosArt është festivali ndërkombëtar që rikthehet si shtëpia e përbashkët e mbrojtjes së natyrës dhe promovimit të artit”.
“200 artistë nga Shqipëria dhe rajoni do të performojnë në zonat urbane përgjatë lumit Vjosë, në Përmet, qytetin antik të Bylisit, Fier dhe Vlorë, nga 21 deri më 31 maj 2026. 10 ditë festival, 10 zhanre arti”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Programi i festivalit do të përfshijë koncerte live, ekspozita arti, aktivitete sportive në natyrë, forume mbi mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e produkteve tradicionale të zonës.
VjosArt Festival është më shumë se një ngjarje artisike. Ky organizim vjen si një thirrje për të promovuar natyrën, identitetin kulturor dhe potencialin turistik të jugut të Shqipërisë.
Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës, sporteve, etj.

