Rreth 600 ankesa janë bërë nga qytetarët për njehsorë me afat të skaduar dhe dyshime për matje të pasakta. Edhe pse është vërtetuar se një pjesë e tyre kanë qenë jashtë afatit, KESCO ende nuk ka nisur kompensimin e qytetarëve të dëmtuar. Nga KEDS-i thonë se janë në fazën e trajtimit të ankesave dhe korrigjimit, ndërsa Ministria e Industrisë ka shqiptuar 18 gjoba ndaj kompanisë në vlerë prej 90 mijë eurosh.
Ka rreth dy vjet që është ankuar në KEDS rreth dyshimeve për matje të pasakta të rrymës. Sejdi Gashi nga Fushë Kosova po pret të kompensohet, pasi pretendon se është dëmtuar. Megjithatë deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.
“Njehsori im elektrik ka matur në mënyrë të gabueshme. Pra e kam vrenjtur që ka pas shmangie apo huqje, si në datë ashtu edhe në kohën reale dhe rrjedhimisht edhe faturimi ka qenë, do të thotë, jashtë suazave normale. Imagjinoni një familje mesatare, pavarësisht sezonit dimër apo verë, të ketë një faturë mesatare apo llogaritsh diku 80 euro, konsideroj që nuk është, nuk është në rregull”, tha Sejdi Gashi, qytetar.
KESCO ende nuk ka nisur me kompensimin e qytetarëve, edhe pse është vërtetuar se një pjesë e njehsorëve kanë qenë me afat të skaduar. E deri më tani janë bërë rreth 600 ankesa nga konsumatorët.
“Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të njehsorëve, ku deri më tash ka mbërritur numri diku 9 ose 10 njehsorë. Prej, domethënë datës po flasim për datën 5 dhe 6 maj. Verifikimi tash në të gjitha pikat, nëse verifikohet njehsori, atëherë e merr diku kohën rreth 2 deri në 3 orë. Edhe caktohen të gjitha pikat e matjes, domethënë duke filluar nga ora, data, matjet e kilovatëve edhe, domethënë gjëra të tjera që mund t’i përmbajë një mjet matës që është në këtë rast njehsori elektrik”, tha Sebahate Bushrani-Ibrahimin, drejtore ekzekutive e Agjencisë së Metrologjisë.
Nga KEDS i kanë thënë RTK-së se janë duke i trajtuar ankesat dhe se janë në fazën e korrigjimit.
“Devijimet e vërejtura në kohë janë një karakteristikë teknike e njohur e kohës së njehsorëve dhe përbëjnë problem teknik të cilin deri në një masë e parasheh edhe rregullorja. Çdo njehsor që ka tejkaluar këtë normë do të verifikohet, në qoftë se vërtetohet që lëvizja në orë e ka dëmtuar konsumatorin në fjalë, ndaj tij do të aplikohen korrigjimet sipas procedurave në fuqi”.
KEDS Sipas njohësve të drejtësisë, KESCO ligjërisht nuk do të mund t’i shmanget kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar.

