Saturday, May 9, 2026
HomeLajmeKosovëHoti: LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se...

Hoti: LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ, duke theksuar se forca e saj buron nga historia, struktura dhe anëtarësia e gjerë që e ka ndërtuar dhe mbajtur këtë subjekt politik ndër vite.

Në reagimin e tij pas konfirmimit si kandidat për deputet nga dega e LDK-së në Rahovec, Hoti ka falënderuar për besimin e dhënë, duke e vlerësuar këtë si përgjegjësi të madhe për të vazhduar angazhimin politik me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj frymës rugoviane dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar partia.

Ai ka theksuar se LDK ka qenë dhe do të mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor, duke shtuar se kjo parti i ka mbijetuar kohës dhe sfidave pikërisht sepse është më e madhe se individët që e përfaqësojnë në momente të caktuara.

Hoti ka folur edhe për situatën politike në vend, duke thënë se nevojitet mobilizim i plotë për të mbrojtur institucionet dhe për të ndalur, siç u shpreh ai, tendencat e degradimit institucional dhe mendësinë autoritare.

“Sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim i plotë për ta ndalur degradimin institucional dhe mendësinë autoritare që po tentohet t’i imponohet Republikës sonë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë apo mentalitet që e sheh shtetin si pronë partie, por për demokraci funksionale, respektim të institucioneve, partneritet të fortë me aleatët ndërkombëtarë dhe rikthim të normalitetit politik.

“Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, Avdullah Hoti nuk morri sot  pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku u miratua propozimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, që ai vetë të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa ish-presidentja Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës së deputetëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram