Të huajt që dëshirojnë të pajisen për herë të parë me lejeqëndrim në Kosovë, nga sot mund të aplikojnë edhe përmes internetit, pa pasur nevojë që procedurën ta zhvillojnë në mënyrë fizike në institucionet përkatëse.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se shërbimi i ri është funksionalizuar përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Sipas Sveçlës, ky ndryshim është pjesë e reformave për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe thjeshtimin e procedurave administrative.
Ai ka theksuar se përmes këtij shërbimi synohet që qytetarëve të huaj t’u ofrohet një proces më i lehtë dhe më efikas.
“Ky shërbim mundëson qasje më të shpejtë, më të thjeshtë, më efikase dhe më të dinjitetshme për qytetarët e huaj që aplikojnë për lejeqëndrim në vendin tonë”, ka deklaruar Sveçla.
Megjithatë, aplikimi online ka një kusht të rëndësishëm: ai mund të realizohet vetëm nga brenda territorit të Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Përmes këtyre reformave, po vazhdojmë modernizimin e shërbimeve publike, me synimin për një administratë më efikase, më të qasshme dhe në shërbim të qytetarëve”, ka bërë të ditur ministri.
Me këtë ndryshim, procedura për aplikimin e parë për lejeqëndrim i shtohet listës së shërbimeve që institucionet e Kosovës po kalojnë në platforma digjitale.

