Një aeroplan i Frontier Airlines ndërpreu ngritjen pasi goditi një person në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Denverit, tha për CNN një zëdhënës i linjës ajrore dhe Administratës Federale të Aviacionit (FAA).Airbus A321 po fluturonte nga Denveri për në Los Angeles dhe mbante 224 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit, tha Frontier Airlines në një deklaratë. Ora e planifikuar e ngritjes ishte ora 22:39 sipas kohës lokale.
“Ndërsa avioni po ngrihej, thuhet se avioni goditi një këmbësor në pistë gjatë ngritjes. U raportua tym në kabinë dhe pilotët ndërprenë ngritjen. Pasagjerët u evakuuan më pas në mënyrë të sigurt duke përdorur një rrëshqitëse si masë paraprake”, tha linja ajrore.
Aeroporti i Denverit tha se një aeroplan i Frontier raportoi se kishte goditur një këmbësor në orën 23:19 sipas kohës lokale.
“Pati një zjarr të shkurtër në motor, i cili u shua shpejt nga Departamenti i Zjarrfikësve të Denverit”, tha aeroporti në këtë qytet amerikan në një deklaratë.
Shërbimet e emergjencës iu përgjigjën vendit të ngjarjes dhe pasagjerët u transportuan në terminal, shtoi aeroporti.
Një regjistrim audio i komunikimit të kontrollit të trafikut ajror, i ndarë nga aplikacioni ATC.com, kapi momentin kur piloti i avionit Frontier u tha kontrollorëve se avioni kishte goditur dikë. Sekonda më vonë, kontrollori tha se automjetet e emergjencës po dërgoheshin në vendngjarje.
“Kishte një person në pistë që po e kalonte atë”, dëgjohet të thotë piloti.
Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 treguan se avioni po përshpejtohej në rreth 234 kilometra në orë në orën 23:15 sipas kohës lokale përpara se ngritja të ndërpritej.

