Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.P. dhe personit juridik B. Sh.P.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”.
Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor 2023 në Dragash, i pandehuri B.P., në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “B. Sh.P.K.”, dyshohet se ka shkelur me qëllim rregullat e prokurimit publik duke mos zbatuar detyrimet që rridhnin nga kontrata publike me titull: “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla KK Dragash”.
Sipas Prokurorisë, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë në kontratë, janë dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht pajisje të vjetra të servisuara në të cilat janë vendosur pjesë të reja shpenzuese.
Në njoftim thuhet se me këto veprime i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor Komuna e Dragashit, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët, kërkojnë më shumë mirëmbajtje dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me pajisjet e reja.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “B. Sh.P.K.” si operator ekonomik fitues i kontratës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

