Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Në reagimin dërguar mediave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka theksuar se çdo tentativë për të frikësuar apo penguar prokurorët e shtetit në ushtrimin e detyrës zyrtare është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet në asnjë formë.
Sipas reagimit, menjëherë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin e merituar.
Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka shprehur mbështetjen e plotë institucionale për prokurorin Prekazi dhe për të gjithë prokurorët e shtetit, të cilët, sipas saj, me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi ushtrojnë detyrat e tyre ligjore dhe kushtetuese në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

