Projekti “Innovation Media Minds” ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në Radiotelevizionin e Kosovës, duke mundësuar investime afro 100 mijë euro, përfshirë dy studio moderne, një dhomë regjie dhe dhjetëra trajnime profesionale për stafin e medias publike.
Në kuadër të eventit përmbyllës të projektit, Gentiana Begolli – Pustina, si bartëse e projektit nga ana e RTK-së, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi trevjeçar që ka kontribuar në modernizimin e institucionit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve.
Ajo u shpreh e nderuar për rolin e saj si moderatore e ditës së parë dhe paneliste në ditën e dytë të eventit, duke e cilësuar projektin si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.
Përmes këtij projekti, stafi i RTK-së ka ndjekur trajnime profesionale në Gjermani, Qipro, Irlandë, Podgoricë, Tiranë dhe Beograd, si dhe brenda vetë RTK-së, duke përfituar njohuri dhe praktika bashkëkohore në fushën e gazetarisë, produksionit dhe menaxhimit medial.
Gentiana Begolli Pustina vlerësoi se këto investime dëshmojnë se mbështetja në media publike dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore sjell transformim të qëndrueshëm institucional.
Projekti u mbështet nga Bashkimi Evropian, implementuar nga Goethe-Institut, në bashkëpunim me DW Akademie.



