Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadorin Kevin Hamilton, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Gjatë takimit, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e teknologjisë, mbrojtjes dhe sigurisë. Kryeministri Kurti foli edhe për prodhimin e municionit në Kosovë dhe rëndësinë e avancimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Në takim u trajtuan gjithashtu marrëdhëniet e mira me NATO-n, situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe zhvillimet aktuale politike.
Një ndër temat e diskutimit ishte edhe themelimi i Xhandarmërisë së Kosovës. Sipas njoftimit, kryeministri në detyrë shpjegoi konceptin e kësaj strukture dhe theksoi nevojën për forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n.

