Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përmes stacioneve policore, Njësisë së Trafikut Rajonal dhe Njësisë për Reagim të Shpejtë, gjatë muajit maj ka realizuar aktivitete të shtuara në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rregullimit të komunikacionit rrugor.
Sipas Policisë, në kuadër të planeve operative të zbatuara nga data 1 maj deri më 21 maj 2026, janë shqiptuar gjithsej 194 tiketa ndaj ngasësve të motoçikletave për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion.
Shkeljet më të shpeshta kanë qenë drejtimi i motoçikletës pa patentë shofer, drejtimi i motoçikletës pa regjistrim dhe mosmbajtja e helmetës mbrojtëse. Policia Rajonale në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet dhe kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me fokus në rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.
“Policia do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore për të kontribuar në sigurinë rrugore.

