Friday, May 22, 2026
HomeLajmeKosovëKryetari i LDK-së: Paketa e Qeverisë është tentim për blerje votash

Kryetari i LDK-së: Paketa e Qeverisë është tentim për blerje votash

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare, duke e cilësuar atë si “tentim për blerje votash” në prag të zgjedhjeve.

Abdixhiku ka theksuar se qeveria po përdor “çdo mjet të mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet”, duke përmendur propagandën, fyerjet, ofendimet dhe krizat e njëpasnjëshme si pjesë të qeverisjes aktuale.

Sipas tij,  paketa e fundit nuk është ndihmë kundër inflacionit, por një përpjekje për të mbuluar, siç u shpreh, “dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve”.

“Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, kryetari i LDK-së tha se qytetarët e Kosovës mbeten ndër më të varfrit në Evropë dhe se “populli i Kosovës nuk blihet” dhe “e ardhmja e tyre nuk është në shitje”.

Në reagimin e tij, ai bëri thirrje për një “kapitull të ri” për Kosovën, ku mirëqenia e qytetarëve të mos përdoret si favor elektoral, por të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme shtetërore.

“Pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha dhe kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës”, ka theksuar ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram