Friday, May 22, 2026
HomeLajmeKosovëDnV: Përdorimi elektoral i parasë publike cenon garën e barabartë

DnV: Përdorimi elektoral i parasë publike cenon garën e barabartë

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme qytetarësh, pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore dhe keqpërdorim të resurseve publike në periudhë zgjedhore.

Sipas DnV-së, shpërndarja e pakove financiare në këtë periudhë krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke i dhënë avantazh të padrejtë partisë në pushtet.

Organizata thekson se legjislacioni zgjedhor ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve, përfshirë buxhetin e shtetit, automjetet zyrtare, zyrat dhe administratën publike gjatë fushatës zgjedhore.

DnV rikujton gjithashtu se Kuvendi i Kosovës nuk kishte miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin, ku ishin paraparë mjete për një pako të tillë financiare. Sipas tyre, kjo situatë ngre shqetësime edhe në raport me Ligjin për Qeverinë, i cili kufizon kompetencat e një qeverie në detyrë për marrjen e vendimeve me implikime të mëdha financiare.

Në reagim, DnV vlerëson se ndihma financiare e shpërndarë në mënyrë të përgjithshme, pa një situatë emergjente të re, e vështirëson ndarjen mes politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve që të shmangin përdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale dhe të respektojnë standardet ligjore që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu, DnV kërkon që raste të tilla të trajtohen nga mekanizmat përgjegjës për mbrojtjen e integritetit zgjedhor dhe administrimit të parasë publike.

Sipas saj, mosveprimi ndaj këtyre praktikave rrezikon normalizimin e përdorimit të buxhetit shtetëror për përfitime politike gjatë fushatave zgjedhore.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram