Ministri në detyrë i Ministrisë së Jashtme dhe Diaporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Pragë ka marrë pjesë në panelin “Mbajtja e vijës në qëndrueshmërinë demokratike”, ku është diskutuar për sfidat dhe mbrojtjen e demokracive.
Përmes një postimi në platformën X, Konjufca ka thënë se në kuadër të panelit është zhvilluar një diskutim mbi mënyrën se si demokracitë përballen me presionet e brendshme dhe të jashtme.
“Pragë, mora pjesë në panelin ‘Mbajtja e vijës në qëndrueshmërinë demokratike’. Krahas panelistëve të shquar, u zhvillua një diskutim i frytshëm mbi mënyrën se si demokracitë i rezistojnë presionit nga brenda dhe nga jashtë”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka theksuar se Kosova e ka ndërtuar qëndrueshmërinë demokratike përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova ka ndërtuar qëndrueshmërinë e saj demokratike përmes partneritetit të vërtetë midis institucioneve kombëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe ne synojmë ta mbrojmë dhe ta mbajmë atë në atë mënyrë”, ka shkruar Konjufca.

