Saturday, May 23, 2026
HomeLajmeKosovëMehmeti: Qeveria Kurti po mbron qytetarin dhe po zhvillon ekonominë

Mehmeti: Qeveria Kurti po mbron qytetarin dhe po zhvillon ekonominë

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, ka reaguar ndaj deklaratës së Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila vlerësoi se “masat e përkohshme financiare nuk sjellin zhvillim”. Mehmeti ka thënë se “Qeveria Kurti ka dëshmuar se di të mbështesë qytetarin pa e harruar biznesin, dhe di të mbështesë biznesin pa e lënë qytetarin vetëm”.

Sipas tij, “ky është dallimi mes një politike të njëanshme dhe një politike zhvillimore, sociale dhe të balancuar”.

“Është e rëndësishme të sqarohet një parim themelor: në Qeverinë Kurti, politikat sociale dhe masat mbështetëse për qytetarët nuk janë zëvendësim i politikave ekonomike për bizneset. Ato janë të ndara, të dizajnuara për qëllime të ndryshme dhe i shërbejnë grupeve të ndryshme të shoqërisë. Mbështetja për pensionistët, fëmijët, studentët, punëtorët e sektorit jopublik dhe nënat lehona është masë për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe për të lehtësuar barrën e familjeve në një kohë kur inflacioni ka goditur ekonomitë në gjithë Evropën. Kjo nuk e dobëson ekonominë; përkundrazi, e mbron stabilitetin social dhe konsumin bazik të familjeve”, tha ai.

Në anën tjetër, sipas,tij mbështetja për bizneset, prodhimin vendor, eksportin, inovacionin dhe investimet është trajtuar përmes reformave të veçanta ekonomike, ligjore dhe institucionale. Vetëm në 100 ditët e para në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë ndërmarrë hapa konkretë që dëshmojnë se zhvillimi ekonomik nuk është lënë pas dore, por është vendosur në qendër të politikave qeveritare.

“Gjatë kësaj periudhe janë avancuar marrëveshje të rëndësishme tregtare si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA dhe protokollet e CEFTA-s; është miratuar Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi; është dorëzuar për miratim Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare; janë hartuar projektligje për tregtinë e brendshme, shoqëritë tregtare, mbrojtjen e konsumatorit dhe zejtarinë; si dhe janë finalizuar strategji të rëndësishme për inovacionin dhe investimet strategjike. Në fushën e zhvillimit industrial dhe investimeve, janë funksionalizuar mekanizma të rinj për zhvillim industrial, është avancuar modeli i parqeve industriale sipas klasterëve, është finalizuar studimi për eko-parqet, janë ndarë mbi 30 milionë euro për parqe industriale dhe janë shtyrë përpara projekte në Mitrovicë, Lipjan, Drenas, Podujevë, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Rahovec”, tha ai.

Duke shtuar se për bizneset janë ofruar skema të drejtpërdrejta mbështetëse, janë përkrahur ndërmarrje për digjitalizim, inovacion, certifikim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese, janë mbështetur kompani kosovare në panaire ndërkombëtare dhe janë promovuar mbi 1100 produkte “Made in Kosova”. Këto janë masa konkrete që synojnë prodhim, eksport, konkurrueshmëri dhe investime afatgjata.

“Prandaj, është e pasaktë të paraqitet sikur Qeveria po fokusohet vetëm në stimulim afatshkurtër të konsumit. E vërteta është se, paralelisht me mbrojtjen e qytetarëve nga presionet e çmimeve, janë ndërtuar politika konkrete për forcimin e sektorit privat, rritjen e prodhimit vendor, mbështetjen e eksportit, zhvillimin industrial dhe modernizimin institucional. Odat ekonomike kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesit të biznesit dhe në përmirësimin e ambientit afarist. Por mbrojtja e interesit të biznesit nuk duhet të kuptohet si kundërshtim ndaj mbështetjes së qytetarëve. Bizneset kanë nevojë për politika zhvillimore, por edhe qytetarët kanë nevojë për mbështetje kur përballen me rritje të kostos së jetesës. Një ekonomi e qëndrueshme nuk ndërtohet duke vendosur qytetarin përballë biznesit, por duke i mbështetur të dyja në mënyrë të drejtë dhe të balancuar. Në çdo vend demokratik, dialogu me odat ekonomike është i mirëseardhur dhe i nevojshëm. Por po aq e nevojshme është që ky dialog të jetë i plotë, i drejtë dhe i bazuar në fakte. Nëse flasim për zhvillim afatgjatë, atëherë duhet të përmenden edhe reformat, investimet, grantet, parqet industriale, ligjet ekonomike, mbështetja për eksportin, digjitalizimi dhe partneritetet ndërkombëtare që janë realizuar në këtë periudhë. Qeveria Kurti ka dëshmuar se di të mbështesë qytetarin pa e harruar biznesin, dhe di të mbështesë biznesin pa e lënë qytetarin vetëm. Ky është dallimi mes një politike të njëanshme dhe një politike zhvillimore, sociale dhe të balancuar”, ka shkruar Mehmeti në facebook’.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram