Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se në përputhje me udhëzimin administrativ në fuqi, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve do të jenë të liruar nga tarifa prej 3 euro për natë gjatë qëndrimit në këto klinika.
“Nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së”, vazhdon njoftimi.
QKUK thekson se nga pagesa përjashtohen të gjithë përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike.
Vënia e kësaj tarife në Udhëzimin Administrativ të QKUK shkaktoi reagime të shumta te opinioni publik.

