Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan sot Inspektoratin Policor të Kosovës, ku vlerësuan punën dhe rezultatet e këtij institucioni në trajtimin e ankesave të qytetarëve, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.
Ata u pritën nga Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, i cili falënderoi Kurtin dhe Sveçlën për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për IPK-në. Me këtë rast, Hodaj prezantoi të arriturat e institucionit dhe platformën për monitorimin e stacioneve policore në Kosovë.
Gjatë vizitës, Kurti tha se viteve të fundit IPK-ja ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për shqetësimet ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, tha Kurti.
Ai theksoi se IPK-ja ka forcuar praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë katër komunat në veri të vendit.
Ndërkaq, Sveçla deklaroi se Inspektorati Policor i Kosovës ka rol të drejtpërdrejtë në forcimin e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Janë trajtuar mijëra ankesa të qytetarëve, janë zhvilluar hetime profesionale dhe janë ndërmarrë masa konkrete disiplinore dhe penale ndaj rasteve të shkeljeve brenda radhëve të Policisë së Kosovës”, tha ai.
Sveçla vlerësoi gjithashtu operacionet dhe aktivitetet e IPK-së në luftën kundër korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe paligjshmërisë, si dhe zgjerimin e pranisë institucionale në të gjithë territorin e vendit.
Mes tjerash, ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbështesë IPK-në me rritjen e stafit dhe fuqizimin e kapaciteteve operative. 

