Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me këtë rast ka uruar Myftiun Tërnava dhe besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste dhe mesazhin e saj për sakrificë, solidaritet dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit.
Ai tha se kjo festë “na e përkujton dhe vazhdimisht na mëson se edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet”.
Kurti përmendi edhe kontributin e atyre që kanë dhënë për vendin, duke thënë se “asnjëherë nuk e harrojmë se aty janë edhe 37 imamë dhe hoxhallarë nga lufta çlirimtare”.
Ai tha se Kurban Bajrami është një thirrje për solidaritet shoqëror. “Kurban Bajrami është festë e cila na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin, të përkujdesemi për njëri-tjetrin dhe të tregojmë bujari e dashamirësi për të mirën e përgjithshme, duke mos lënë asnjë njeri mbrapa”.
Në fund të vizitës, Kurti uroi qytetarët për festën, “edhe një herë urime Kurban Bajrami, me fat e hajr për të gjithë qytetarët”.
Deklarimi i kryeministrit në detyrë Kurti:
Vizitën e parë për festën e Kurban Bajramit, si për çdo vjet, edhe sivjet vijmë te Bashkësia Islame e Kosovës për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij këtë festë të sakrificës, e cila na e përkujton, e vazhdimisht na e mëson, që edhe sakrifica është festë. Sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre të cilët kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet.
Para së gjithash, dëshmorët e martirët e kombit. Ku ne asnjëherë nuk e harrojmë që aty janë edhe 37 imamë, hoxhallarë, nga lufta çlirimtare bartëse e së cilës ishte UÇK-ja, e deri tek ajo që bëjmë sot si institucione të shtetit, si Bashkësi Islame, si shoqatë “Bereqeti”, që qytetarëve të Republikës t’ju dalim në ndihmë për çdo nevojë që kanë, meqenëse Kurban Bajrami është festë e cila na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin, të përkujdesemi për njëri-tjetrin, të tregojmë solidaritet, bujari, dashamirësi, për të mirën e përgjithshme duke mos e lënë asnjeri prapa!
Edhe njëherë urime Kurban Bajrami! Me fat, e përhajr siç themi në mënyrë popullore, të gjithë qytetarëve!

