Thursday, May 28, 2026
HomeLajmeKosovëPDK prezanton programin zgjedhor, premton rritje pagash dhe pensionesh

PDK prezanton programin zgjedhor, premton rritje pagash dhe pensionesh

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar të mërkurën pesë zotimet kryesore të programit zgjedhor të PDK-së, duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit ta votojnë numrin 125.

Në një konferencë për media, Hamza tha se programi i PDK-së parasheh ulje të çmimeve dhe tatimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, mbështetje për bizneset, investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji, përmirësim të shërbimeve shëndetësore, reformim të arsimit dhe forcim të sistemit të drejtësisë.

“Programi i Partisë Demokratike të Kosovës është një program konkret, i matshëm dhe i realizueshëm, i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai trajton me seriozitet të gjitha çështjet me rëndësi jetike për shtetin dhe qytetarët, me një qëllim të vetëm: një jetë më të mirë për secilin”, deklaroi Hamza.

Ai premtoi rritje të përhershme të pagave për 50 për qind dhe rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë, duke shtuar se qytetarëve u nevojitet mbështetje afatgjatë financiare.

“Do të ketë rritje pagash për 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme. Dikush që sot e ka pagën 900 euro, do ta ketë 1350 euro”, tha ai.

Hamza u bëri thirrje partive politike që fushata zgjedhore të zhvillohet në frymë demokratike dhe me gjuhë të përmbajtur.

“Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për garë idesh, jo për gjuhë të urrejtjes. Për program dhe përgjegjësi dhe assesi me përçarje dhe përplasje”, u shpreh ai.

Ai njoftoi gjithashtu se hapja zyrtare e fushatës së PDK-së do të mbahet të mërkurën në mbrëmje në Ferizaj.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram