Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për moslejimin e mbajtjes së një tubimi politik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së LVV-së për organizimin e një tubimi politik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas Gjykatës Supreme, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024, e cila parasheh mundësinë e refuzimit të një kërkese në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më herët nga një subjekt tjetër politik.
Nga shkresat e lëndës rezulton se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte paraqitur kërkesën për mbajtjen e tubimit në sheshin “Skënderbeu” më 30 prill 2026, ndërsa LVV kishte dorëzuar kërkesën më 8 maj 2026, për të njëjtën datë dhe lokacion.
Gjykata Supreme vlerësoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje procedurale apo zbatim të gabuar të ligjit.
Me këtë vendim, ankesa e LVV-së është refuzuar, ndërsa vendimi i PZAP-së ka mbetur në fuqi.

