Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se është njoftuar për ndalim, në kufirin me Finlandën, të një ngarkese me produkt “Spec i kuq i bluar” me origjinë nga Kosova, i prodhuar nga kompania “Ananax Impex”.
Në njoftimin e AUV theksohet se pas kryerjes së testeve laboratorike, ngarkesa ka rezultuar pozitive me prani të pesticidit “Carbofuran” mbi kufijtë e lejuar.
“E gjithë sasia është asgjësuar nga autoriteti kompetent. Rasti i njoftimit mban nr. 2026.4462”, thuhet në njoftim.
Prodhuese është kompania “Ananas Impex SH.P.K”, brendi “Besiana”. Produkti ishte me datë skadimi 8 dhjetor 2026.
Konsumatorët që e kanë produktin janë rekomanduar ta kthejnë menjëherë në pikën e blerjes.
“Menjëherë pas njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka nisë veprimet për të ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik dhe forcimit të kontrollit zyrtar, në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar është urdhëruar të zbatohen masat, preventive shtesë, të rritet kontrolli edhe ndaj lëndës së parë që përdoret për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të specit, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit dhe parandalimin e vendosjes në treg të produkteve me përmbajtje të lartë të mykotoksinave apo pesticideve”, theksohet në njoftimin e AUV.
AUV ka thënë se inspektimet e tjera do të vazhdojnë te prodhuesi për verifikime të të gjitha llojeve të prodhimeve në gjurmim të plotë. “Për secilin rast të dyshimtë do të ndërmerren veprime të menjëhershme për ruajtje të shëndetit të konsumatorëve”.

