Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime me përfaqësues diplomatikë të vendeve partnere të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku njoftoi se në Selinë Qendrore të LDK-së ka pritur Anu Prattipati, të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ambasadorin e Francës Olivier Guérot, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Hargreaves dhe ambasadorin e Italisë Maurizio Antonini.
Sipas Abdixhikut, në këto takime është diskutuar për zhvillimet politike në vend, rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, forcimin e partneriteteve strategjike dhe rëndësinë e stabilitetit institucional për të ardhmen e vendit.
Ai ka theksuar se për LDK-në, bashkëpunimi i ngushtë me aleatët ndërkombëtarë mbetet orientim i palëkundur politik dhe shtetëror.
“Kosova ka nevojë për miqësi të forta, partneritet të qëndrueshëm dhe një zë serioz e të besueshëm në raport me botën”, ka shkruar Abdixhiku.

