ATSH/ Komuniteti i krishterë ortodoks sot kremton “të shtunën e shpirtrave”.
Në kishat ortodokse, pas meshës së mëngjesit e Liturgjisë Hyjnore kryhet shërbesa e përshpirtjes, një lutje e veçantë për shpirtrat që kanë ndërruar jetë.
Ortodoksët besojnë se askush nuk zhduket si krijesë, por vazhdon të jetojë në një formë tjetër, sepse shpirti i njeriut nuk vdes, por është i përjetshëm.
Kështu lutja që të gjallët bëjnë për të vdekurit, është një formë ndërmjetësimi drejtuar Perëndisë.
Përveç lutjeve në kishë e në varreza, në të shtunën e shpirtrave, besimtarët çojnë në kishë një pjatë apo tabaka me grurë të zier. Kokrrat e grurit simbolizojnë besimin në jetën e përjetshme. Ashtu si lind një jetë e re nga një kokërr e vdekur gruri, kështu besohet se edhe të vdekurit do të ngrihen, një ditë, për një jetë të re me Perëndinë. Kokrrat e grurit mbulohen me sheqer dhe rrush të thatë, që simbolizojnë thesaret e jetës së përjetshme me Perëndinë në qiej.

