Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për gjendjen në sektorin e energjisë, duke thënë se vendi po përballet me krizë energjetike dhe mungesë investimesh strategjike.
Në një konferencë për media, Hamza tha se mungesa e energjisë elektrike në disa pjesë të vendit dëshmon rëndësinë e investimeve në këtë sektor.
“Gjatë këtyre ditëve do të mbajmë disa konferenca me tema edhe me tematikat e prioritetet që ka Partia Demokratike e Kosovës. Sot do të flasim për shtyllën e dytë që është energjia dhe investimet në infrastrukturë. Fatkeqësisht, në nuk kemi energji elektrike, nuk kemi drita, pjesa e madhe e qytetit të Prishtinës po përballen me reduktime. E kjo tregon peshën dhe rëndësinë e këtij prioriteti që e ka Partia Demokratike e Kosovës”, tha ai.
Hamza vlerësoi se Kosova ndodhet në krizë dhe fajësoi kryeministrin aktual dhe qeverinë në detyrë për situatën e krijuar.
“Gjithandej Kosovës, kudo që po lëvizim, siç ka qenë Ferizaj, Gjakova, Peja, dhe qytete të tjera, njerëzit e kanë një konstatim: Kosova është në krizë. Dhe kjo krizë e ka një shkaktar, dhe kjo është Kryeministri aktual dhe qeveria aktuale. Asnjë kapacitet i ri energjetik domethëns gjatë këtyre viteve. Për më tepër, dështim dhe refuzim i projekteve. Dështim i kapaciteteve në termocentrale, dështim dhe refuzim i projektit të gazit dhe projekteve të tjera energjetike”, tha ai.
Ai premtoi se me një qeveri të udhëhequr nga PDK-ja nuk do të ketë më qytete pa energji elektrike.
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, tha Hamza.
Hamza tha se programi i PDK-së përfshin ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë termocentrale të reja, investime në energjinë e ripërtëritshme, modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, zhvillimin e infrastrukturës së gazit, sistemet e ngrohjes qendrore dhe lidhjen energjetike Kosovë–Shqipëri.
Ai shtoi se përveç energjisë, PDK-ja planifikon investime në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe digjitale, duke përfshirë përfundimin e projekteve madhore rrugore, lidhjen hekurudhore Kosovë–Shqipëri, si dhe mbështetjen e sektorit të teknologjisë informative, inovacionit dhe startup-eve.

