Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, Forumi i Gruas i LDK-së ka mbajtur një tubim, ku janë prezantuar kandidatet e kësaj partie për deputete për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se në këtë takim prezantuan 38 kandidatet gra të LDK-së, të cilat i ka quajtur vajza e zonja të forta që i japin LDK-së energji, përkushtim dhe dinjitet.
Abdixhiku ka thënë se duhet të ngrihet pyetja se çfarë Kosove po ua lëmë vajzave tona, dhe se nuk mund të pranojmë idenë se 65% e grave në Kosovë janë jo aktive.
“Renditemi në nivel me vendet më të prapambetura në botë! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë, ku gruaja është e papunë por prapë punon – sepse familja është punë e përtej punës! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë që gruaja pas punës duhet sërish të punojë! Sepse, sërish, familja është punë përtej punës!” ka shkruar Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka thënë se gratë përballen me diskriminim në punësim e dhunë në familje, e se për to duhet të punohet shumë.
“Përballë sfidave të tilla, duhet të kujtojmë se historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak. Gra që guxuan të ëndërrojnë më shumë për familjet dhe shoqëritë e tyre.
Si prind i dy vajzave, si bashkëshort i një gruaje, si djalë i një nëne, ju them këtu se sfida juaj është dhe sfidë e imja! Dhe në qoftë kjo është sfida e fundit e imja, do ta bëjë me gjithë forcën që kam, përballë çdo pengese që kam, me gjithë kapitalin që kam!”, ka shkruar ai.

