Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme duhani të kontrabanduar në komunën e Vitisë.
Sipas njoftimit zyrtar, më 31 maj 2026, policia ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore pas pranimit të informatave se në një shtëpi të pabanuar në këtë komunë po ruheshin mallra të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.
Gjatë veprimeve në terren, njësitë relevante policore kanë arritur të identifikojnë objektin e dyshuar, i cili sipas hetimeve paraprake ishte përdorur për fshehjen dhe depozitimin e mallrave të kontrabanduara, që dyshohet se ishin futur në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.
Pas sigurimit të autorizimit verbal nga prokurori kompetent, Policia ka realizuar kontrollin e objektit, ku ka gjetur dhe sekuestruar rreth 300 kilogramë duhan të përpunuar, të gatshëm për treg.
Autoritetet kanë bërë të ditur se vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara llogaritet të jetë rreth 6 mijë euro, ndërsa shmangiet nga obligimet doganore dhe akciza vlerësohen në afërsisht 12 mijë euro.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.

