Duke iu referuar burimeve nga policia, mediat e Podgoricës bëjnë të ditur se mes pasagjerëve që u kthyen nga aeroporti i Tivatit për në Beograd kishte persona të cilët konsiderohen si individë me interes për sigurinë dhe që kanë dosje kriminale. Gjithashtu, thuhet se grupi ishte planifikuar të angazhohej në sigurimin joformal të qëndrimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor në Tivat.
Forca të shumta policore të Malit të Zi kanë mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë aeroportin e Tivatit që nga mëngjesi. Arsyeja është një fluturim çarter nga Beogradi, me të cilin, sipas pretendimeve të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, në vend mbërritën rreth 90 shtetas serbë, shumica prej të cilëve konsiderohen persona me interes për sigurinë. Incidenti, i cili po merr përmasa të një skandali ndërkombëtar, po ndodh në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tivat dhe ku pritet të marrin pjesë shumë zyrtarë të lartë evropianë dhe rajonalë.
Ndërsa Drejtoria e Policisë së Malit të Zi njofton se po zhvillohen verifikime të hollësishme për arsyet e ardhjes dhe qëndrimit të këtyre personave, disa media dhe aktorë politikë në Serbi pretendojnë se mes pasagjerëve ndodheshin persona të afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Kontrolle të shtuara
Nga Drejtoria e Policisë së Malit të Zi është bërë e ditur se, me rastin e organizimit të samitit BE – Ballkani Perëndimor, po zhvillohen “aktivitete të gjera, të vazhdueshme dhe të përforcuara”, dhe në këtë kuadër është vënë nën kontroll edhe fluturimi çarter Beograd–Tivat.
“Në vazhdim janë kontrollet e këtyre personave dhe verifikimi i bazës së ardhjes dhe qëndrimit të tyre, ndërsa në përputhje me ligjin do të ndërmerren masa dhe veprime gjithëpërfshirëse, si dhe masa kufizuese nëse ekzistojnë bazat ligjore për këtë”, thuhet në deklaratën e policisë.
Aeroplani u mbajt në pistën e aeroportit të Tivatit për të kryer kontrolle të detajuara, ndërsa burime jozyrtare nga strukturat e sigurisë njoftuan se ekzistojnë dyshime për një veprimtari të mundshme “hibride”.
Ky formulim ngriti menjëherë shumë pyetje. Në terminologjinë e sigurisë, termi “veprimtari hibride” zakonisht nënkupton aktivitete që nuk janë veprime klasike ushtarake apo policore, por një kombinim i presionit politik, propagandës, grupeve të organizuara, operacioneve të sigurisë dhe metodave të tjera që mund të ndikojnë në stabilitetin e shtetit ose në një ngjarje të caktuar politike.
Vëmendje shtesë të publikut tërhoqi fakti se pasagjerët, sipas mediave të Podgoricës, nuk dëshironin t’u përgjigjeshin pyetjeve të policisë lidhur me arsyet e ardhjes në Mal të Zi. Pikërisht kjo, sipas informacioneve jozyrtare, ishte një nga arsyet për intensifikimin e kontrolleve të sigurisë.
Megjithëse institucionet zyrtare nuk kanë bërë të ditur identitetin e pasagjerëve dhe as rezultatet e kontrolleve, disa media, duke iu referuar burimeve policore, pretendojnë se mes tyre ka persona me dosje kriminale dhe që konsiderohen si individë me interes për sigurinë. Gjithashtu, thuhet se grupi ishte planifikuar të angazhohej në sigurimin joformal të presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë samitit në Tivat.
Këto pretendime shkaktuan reagime të ashpra nga partitë opozitare në Serbi.
Reagimet
Nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Borko Stefanoviq, e cilësoi ngjarjen si “skandal dhe turpërim të Serbisë”, duke thënë se presidenti Vuçiq duhet t’i shpjegojë publikut se kush e organizoi dhe financoi fluturimin, si dhe kush ishin personat që udhëtuan drejt Tivatit.
“Ai dërgoi me një fluturim çarter, me një avion të tipit Embraer, i paguar në mënyrë të dyshimtë, 90 persona, shumë prej të cilëve kanë dosje kriminale, për të siguruar joformalisht Vuçiqin në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Tivat. Policia malazeze i ktheu në Serbi nga aeroporti i Tivatit pasi konstatoi se bëhej fjalë për ‘persona me interes për sigurinë’. Dërgimi i një ekipi paraprak policor është një praktikë normale, por vetëm në koordinim me shtetin mikpritës dhe jo me 90 persona, përveç rasteve kur je, për shembull, presidenti i SHBA-së”, deklaroi Stefanoviq.
Kryetari i Partisë Demokratike, Srđan Milivojeviq, shkoi edhe më tej, duke pretenduar se Vuçiq “dërgoi një avion plot me kriminelë për ta ruajtur”, duke i shkaktuar kështu dëm serioz reputacionit ndërkombëtar të Serbisë.
“Ai nuk udhëton si president shteti, por si shef mafie që shoqërohet nga struktura paraushtarake e parapolicore, njerëz të dhunshëm dhe kriminelë. Këtë herë kjo praktikë u ndalua”, deklaroi Milivojeviq.
Sipas tij, fakti që policia malazeze pengoi hyrjen e personave që konsiderohen si individë me interes për sigurinë tregon se Vuçiq ka kaluar çdo kufi dhe se sjellja e tij nuk tolerohet më as në rajon.
“Ky është një poshtërim i paprecedentë për Republikën e Serbisë dhe dëshmi se Vuçiq e ka shndërruar shtetin në një organizatë kriminale, ku institucionet përdoren si fasadë dhe kriminelët si sigurim personal”, tha ai.
Vlerësime të ngjashme dha edhe lideri i partisë Serbia Qendra, Zdravko Ponoš, i cili me ironi deklaroi se bëhej fjalë për “diplomuar nga Ćacilendi”, të dërguar si grup paraprak për presidentin serb.
Samiti në Tivat
Pyetja më e rëndësishme për Malin e Zi aktualisht është dimensioni i sigurisë së ngjarjes. Samiti në Tivat do të mbledhë zyrtarët kryesorë evropianë dhe rajonalë, ndër të cilët priten kancelari gjerman Fridrih Merc, presidenti francez Emanuel Makron, kryeministrja italiane Xhorxha Meloni, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, si dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Një përqendrim i tillë i zyrtarëve të lartë kërkon standardet më të larta të sigurisë, prandaj çdo aktivitet i pazakontë vëzhgohet me kujdes të shtuar.
Pavarësisht rezultateve përfundimtare të hetimit policor, fakti që një avion i tërë pasagjerësh u veçua dhe iu nënshtrua kontrolleve të hollësishme tregon se shërbimet malazeze janë të vendosura të mos lënë asgjë rastësisë, veçanërisht duke pasur parasysh se samiti po zhvillohet në një kohë kur institucionet evropiane flasin gjithnjë e më hapur për mundësinë që Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Samiti në Tivat ka edhe një dimension të fortë simbolik, pasi mbahet në ditën kur Mali i Zi shënon dy dekada nga rikthimi i pavarësisë. Shumë analistë vendas dhe të huaj e vlerësojnë këtë takim si një mundësi që Bashkimi Evropian të dërgojë një mesazh të fortë politik për vazhdimin e politikës së zgjerimit.
Pikërisht për këtë arsye, çdo incident sigurie ose polemikë politike merr peshë shtesë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte njoftuar më herët se gjatë qëndrimit në Tivat do të zhvillonte disa takime të rëndësishme bilaterale, duke theksuar se në samit po merr pjesë kryesisht me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Nëse ngjarjet e sotme do të mbeten vetëm një episod i kontrolleve të shtuara të sigurisë apo do të shndërrohen në një mosmarrëveshje të re politike rajonale, kjo do të varet nga rezultatet e hetimeve policore dhe nga shpjegimet zyrtare që mund të jepen në ditët në vijim.
Për momentin, vetëm një gjë është e sigurt: në prag të ndoshta ngjarjes më të rëndësishme ndërkombëtare në historinë e Malit të Zi të pavarur, Tivati është bërë qendra e vëmendjes së rajonit, ndërsa pyetja se kush ishin pasagjerët e fluturimit çarter të ndaluar dhe përse kishin ardhur mbetet ende pa përgjigje përfundimtare.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon tema nga rajoni.

