Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe nesër më 12 nëntor, seancë plenare duke filluar nga ora 10:00. Në rend dite janë shqyrtimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe mocioni për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në seancë do të shqyrtohen tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, që lidhen me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Po ashtu, do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Në rend dite është edhe Propozim-Programi i Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.
Një nga pikat e seancës është interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu mocionin përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

