Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit A.M., nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave në Gjakovë, ku i pandehuri A.M., në bashkëkryerje me dy të mitur, dyshohet se ka vepruar si pjesë e një grupi të armatosur, duke përdorur forcë dhe kanosje serioze për të përfituar pasuri në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë incidentit, i pandehuri dyshohet se ka goditur disa herë me thikë të dëmtuarin e mitur E.B. (i lindur më 2009), duke i shkaktuar lëndime në krahun e majtë. Më pas, së bashku me bashkëkryerësit, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën dhe i ka marrë çantën e krahut, nga e cila është përvetësuar portofoli me 115 euro.
Sipas raportit mjekësor të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Me këtë vendim, i pandehuri A.M. do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga 2 qershori deri më 1 korrik 2026.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

