Autoritetet ruse në të ashtuquajturin “LPR” (Oblasti i Luhanskut i Ukrainës i kontrolluar nga Rusia) kanë vendosur zyrtarisht kufizime në trafikun e pasagjerëve në rrugët që të çojnë në Krimenë e aneksuar që kalojnë nëpër territoret e pushtuara nga Rusia. Dekreti përkatës u nënshkrua nga Leonid Pasechnik, kreu i “LPR”-së i emëruar nga Rusia, sipas Krym.Realii.
Dekreti thotë se masat u morën në përgjigje të veprimeve të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në javët e fundit, ka pasur raportime të rregullta për sulme me dronë ukrainasë ndaj automjeteve ushtarake që udhëtonin përgjatë autostradës së ashtuquajtur “Novorossiya”, e cila lidh Rusinë dhe Krimenë e aneksuar. Autoritetet ruse raportuan gjithashtu vdekjen e tetë pasagjerëve në një autobus Moskë-Simferopol, i cili u godit nga një dron në rajonin e Donetskut.
Sipas dekretit të Pasechnik, transporti i rregullt dhe i parregullt i pasagjerëve është i ndaluar në seksionet e mëposhtme të autostradës: Belgorod–Starobilsk–Luhansk–Donetsk–Mariupol, si dhe Rostov-mbi-Don–Mariupol–Melitopol–Simferopol. Këto janë autostrada kyçe që kalojnë nëpër territoret e pushtuara. Transportimi i grupeve të fëmijëve me makinë brenda territorit është gjithashtu i ndaluar, me disa përjashtime. Individëve privatë u këshillohet të mos i përdorin këto autostrada.
Dekreti i Pasechnik është një konfirmim i mëtejshëm se autoritetet ruse, pas sulmeve me dronë, nuk e konsiderojnë më të sigurt rrugën për në Krime. Kjo ka ndikuar tashmë në furnizimet e Krimesë, veçanërisht në karburant. Aktualisht nuk ka benzinë në dispozicion për shitje në gadishull .

