Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka njoftuar se kjo ministri e sapoformuar do të procedojë me 6 Projektligje prioritare, si dhe 3 Ligje për vlerësim retrospektiv.
Hoti ka listuar këtë projektligje dhe ligje, duke thënë se ato prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe shtyllat kryesore të drejtësisë sociale në vend.
“1. Projektligji për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar; 2. Projektligji për Skemën e Ndihmës Sociale; 3. Projektligji për Inspektoratin Qendror të Punës; 4. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur; 5. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës; 6. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, ka listuar Hoti.
Ministri më tej ka thënë se vlerësimi ex-post ka për qëllim të analizojë zbatimin praktik të ligjeve, efektet e tyre në terren, si dhe nevojën eventuale për ndryshime apo plotësime.
“Gjatë vitit 2026 do t’i nënshtrohen vlerësimit këto ligje: 1. Ligji Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti; 2. Ligji Nr. 05/L-141 për plotësim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së UÇK-së; 3. Ligji Nr. 04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre”, përfundon Hoti.

