Një rast i cilësuar si tentim vrasje është raportuar në Klinë, ku një person dyshohet se me veturën e tij ka goditur një motoçikletë në të cilën ndodheshin dy persona.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 7 qershor rreth orës 15:20. I dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se ka sulmuar me veturën e tij me targa vendore një motoçikletë ku po udhëtonin dy meshkuj kosovarë.
Si pasojë e goditjes, dy personat që ndodheshin në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
I dyshuari është arrestuar nga policia dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Tentim Vrasje” si dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

