Tuesday, June 9, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Austria, mbështetëse e rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës

Kurti: Austria, mbështetëse e rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës “Njihuni me Kosovën në Vjenë 2026”, i cili zhvillohet nën temën “Rruga e Kosovës drejt Integrimit Ekonomik dhe Rritjes”.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës “Njihuni me Kosovën në Vjenë 2026”, i cili zhvillohet nën temën “Rruga e Kosovës drejt Integrimit Ekonomik dhe Rritjes”.

Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Austrinë, duke e cilësuar atë si një mbështetëse të vazhdueshme të Kosovës në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj.

Ai bëri të ditur se para forumit kishte zhvilluar një takim me kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme për të dy vendet, përfshirë marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin ekonomik, investimet, integrimin evropian, si dhe sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.

“Austria ka qenë përkrahëse e Kosovës për një kohë të gjatë, në disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe më të vështirë të historisë sonë moderne, duke kontribuar si në të kaluarën, ashtu edhe në mbështetjen për të ardhmen evropiane të vendit”, tha Kurti.

Sipas tij, mbështetja austriake ka ardhur në forma të ndryshme, duke përfshirë diplomacinë dhe angazhimin në forume ndërkombëtare, por edhe përmes mbështetjes më pak të dukshme, që megjithatë ka qenë po aq e rëndësishme.

Kurti theksoi edhe rolin e diasporës kosovare në Austri, duke vlerësuar kontributin e saj në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

“Shumë studentë dhe profesionistë me origjinë nga Kosova janë integruar me sukses në shoqërinë austriake dhe njëkohësisht kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, duke shërbyer si një urë e gjallë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh ai.

Duke folur për sektorin e energjisë, Kurti theksoi synimet strategjike të Kosovës për rritjen e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme dhe ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme.

“Synimi ynë është që deri në vitin 2030 të rrisim ndjeshëm kapacitetet e energjisë alternative, duke kaluar në mbi 25 për qind të prodhimit total. Ky është një objektiv jo vetëm ekonomik, por edhe mjedisor, pasi energjia e pastër është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se energjia po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje ekonomike që ndikon drejtpërdrejt në sektorë të ndryshëm.

“Sot në Evropë, energjia është bërë çështje që ndërlidhet me ekonominë, bujqësinë dhe industrinë. Prandaj, investimet në këtë sektor janë kyçe për të ardhmen”, theksoi ai.

Kurti foli edhe për projektet infrastrukturore dhe menaxhimin e burimeve ujore, duke nënvizuar rëndësinë e përputhjes me standardet mjedisore.

“Projektet e reja në energji dhe ujë do të dizajnohen në përputhje të plotë me standardet mjedisore, duke kontribuar në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe në sigurimin e burimeve për të ardhmen”, tha ai.

Tutje, kryeministri në detyrë nënvizoi se integrimi evropian nuk është vetëm një proces politik, por edhe një proces njerëzor.

“Objektivat janë gjithëpërfshirëse dhe synojnë të kontribuojnë në përshpejtimin e së ardhmes evropiane të Kosovës. Kjo përpjekje ka marrë forma të ndryshme, disa më të dukshme në diplomacinë e forumeve ndërkombëtare, e herë të tjera më pak të dukshme, por gjithmonë me rëndësi të veçantë”, tha Kurti.

Kurti në Vjenë: Rritja ekonomike e Kosovës, rezultat i reformave dhe integrimit rajonal

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar në Forumin Ekonomik të Vjenës se rritja ekonomike e Kosovës është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ndërtimin e një ekonomie moderne dhe të integruar në tregjet rajonale dhe evropiane.

Sipas tij, objektivi kryesor është forcimi i konkurrueshmërisë dhe lidhja më e thellë me ekonomitë e rajonit dhe më gjerë.

“Kemi ndjekur rritjen jo vetëm si qëllim, por si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të ndërtuar themelet e një ekonomie moderne, një ekonomie që përfiton nga lidhjet me tregjet rajonale dhe integrimi në sistemin e vlerave dhe planeve të përbashkëta, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë”, tha Kurti.

Ai shtoi se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të qëndrueshme në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe duke zgjeruar hapësirat për investime.

“Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur një mesatare prej rreth 4 për qind në vit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe duke zgjeruar mundësitë për investime dhe punësim”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se këto rezultate janë të mbështetura në një ambient të favorshëm ekonomik, përfshirë sistemin fiskal dhe kornizën rregullatore të vendit.

“Këto rezultate mbështeten në një ambient të gjallë ekonomik, me një taksë të sheshtë prej 10 për qind dhe një kornizë rregullatore të dizajnuar për të tërhequr investime. Eksportet janë rritur, investimet e huaja direkte kanë vazhduar të rriten dhe Kosova tashmë është në një moment të ri zhvillimi”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se Kosova po ecën drejt standardeve evropiane përmes reformave dhe digjitalizimit të ekonomisë.

“Ne po e pozicionojmë Kosovën drejt një drejtimi të përbashkët evropian, duke përfituar nga iniciativa dhe programe që mbështesin transformimin ekonomik, inovacionin dhe konkurrueshmërinë”, tha ai.

Kurti theksoi se reformat institucionale dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për këtë proces.

“Ky nuk është thjesht një proces deklarativ, por një proces zhvillimor që realizohet përmes reformave institucionale, lidhjeve rajonale dhe bashkëpunimit ekonomik”, u shpreh ai.

Në fund, ai theksoi se rajoni duhet parë si një platformë zhvillimi dhe jo si një destinacion përfundimtar.

“Ne e shohim këtë rajon jo si destinacion, por si platformë për nisje, sepse faza e ardhshme është lidhja më e thellë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor me një Evropë më të lidhur, më konkurruese dhe më të qëndrueshme”, përfundoi Kurti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram